Lutja ime në këtë vit të ri

Lutja ime

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty.
Se nuk e kuptoj më gjuhën e njerëzve. Prej vitesh qëndroj i tmerruar në rrëzë të kësaj kulle Babeli. Askush nuk e dëgjon më klithmën e thikës që ka shkuar gjer në eshtër, a ndoshta më thellë. Askush nuk e zgjat më dorën, veçse për të marrë. E mua më quajnë të marrë, kur rend pas drejtësisë. U bëhem armik, nëse u them të vërtetën.

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty.
Se të rinjtë nuk ëndërrojnë më. Nuk e dëshirojnë lirinë. As të vërtetën. Nuk lexojnë më. Nuk shkruajnë poezi. As nuk i jetojnë ato. Nuk jepen më pas kauzave. Nuk flasin. As nuk mendojnë më. Nuk qeshin, por vetëm ngërdheshen. Po aq mjerisht, sa ky realitet i ngjesh me apati. Se të rinjtë nuk kanë më ideale. As modele. As vizion. Nuk e dëshirojnë më plotësinë. Nuk i kapërcejnë muret, por u përvidhen atyre. Vështrojnë, por nuk shohin. Flasin, por nuk thonë gjë. Dëgjojnë, por shurdhazi. E ardhme miope e një epoke dritëshkurtër. Brez i coroditur!

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty.
Se jam lodhur nga ky teatër mizor. Nga kjo llomotitje e shthurur organoje që ia mban përherë të njëjtin avaz. Nga këto statuja që të mermerta rrinë në muze.  Se jam zhgënjyer nga kjo trokëllitje hapash që nuk ecin. Nga ky gjëmim fishekzjarresh që nuk bëjnë dritë. Nga kjo klithmë që ngeli përjetë në fyt, si një kockë e pagjumë. Se kam frikë sa më s’ka nga njerëzit pa njerëzit. Nga lakmia që nuk ndalet. Nga ata që nëser, do të jenë prapë si sot. Se asnjeri nuk del në skenë. Askush nuk duartroket. Askush nuk fishkëllen. Të gjithë bëjnë sikur.

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty.
Se po ma vrasin qytetin. E kanë bërë plaçkë lufte atdhenë. Hedhin me short të mirat e tij, ashtu si dikur rrobën tënde. Se nuk e shoh dot më të shtrirë përtokë si një dinosaur që lëngon nëpër shekuj. Dhe mua më quajnë skizofren kur dëgjoj klithmën e tij. Më thonë që nëpër kalbësira, krimbat dhe mikrobet rriten më mirë. Por, më dhemb. Më dhemb kur e shoh qytetin si qyq që vajton! Ty, madje më shumë.     Se jam lodhur nga “qarjet e hallit” me politikanët. Në fund, më ngelen mua të dyja. Dhe halli, dhe e qara pafund. Se ma pinë gjakun, porsi shushunja. Por, ti e di vlerën e gjakut. Se pozojnë si shërbenjës, që të bëhen shfrytëzues. Nuk i duroj dot më, teksa i shoh të luajnë rolin tënd. Më vjen ndot nga puthjet e tyre. Judaike.

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty.
Se burrat rrinë në hije. Se burrat janë bërë kafshë shtëpiake. E shesin nderin për hic mos gjë. Kanë humbur respektin. Janë bërë përtacë dhe llafazanë. Nuk dëshpërohen më për padrejtësinë. Hipokritë! Pa integritet! Se burrat, nuk kanë më një mendim. Vetëm heshjte. Të njëllojtë dhe të shkretë. Nuk qëndrojnë më në këmbë. Patericë e këtij realiteti të mjerë. E terheqin dhe po zvarrë tërhiqen prej tij. Se burrat kanë harruar çdo të thotë të luftosh deri në fund. Deri në fund fare. Të japësh gjithcka ke, për të fituar atë që nuk mund ta humbësh kurrë. Se burrat, eh burrat! Oh, si janë shndërruar në buratinë.

Zot, në këtë vit të ri të drejtohem ty.
Se nuk më tmerrojnë përmbytjet, por mungesa e Noeut. Nuk më tremb marrëzia e kësaj bote, por frikësohem sa më s‘ka kur nuk e shoh gjëkundi urtësinë e Solomonit. Se nuk ligështohem kur shoh Goliathët, por kur nuk shoh Davidin.

Zot, në këtë vit të ri, të drejtohem ty. Se ti më përgjigjesh.

Evis Plaku

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s