Shqipëria e universiteteve pa diplomë

Reflektim mbi Shqipërine e Kainit dhe Abelit.

E lashtë sa vetë bota, historia Biblike e Kainit dhe Abelit përsëritet në realitetin shqiptar ditë pas dite. Në këtë vend që ka mungesë teatrosh, shohim të rivihet në skenë vrasja e parë, pasuar nga mijëra të tjera, të gjitha si seri apokaliptike që kumbojnë nëpër shekuj.

Nuk e kam fjalën vetëm për vëlla-vrasjet për një copë gardh apo ndonjë pulë, edhe pse ato janë tmerruese në Shqipërinë tonë europiane. E kam fjalën për atë që më shumë se kushdo tjetër na kanoset Kain-ësisht.

Shqipëria e Kainit dhe Abelit është Shqipëria e universiteteve.
Shtetërorë dhe privatë. Të shumtë, po aq sa edhe të pavlerë. Fabrikues diplomash në masë. Disa të akredituar. Shumica jo. Të gjithë renditen shumë poshtë universiteteve europianë. Dija jepet keqazi, duke humbur aristokraticitetin e saj. Nuk vlerësohet mendimi krijues, por ai riprodhues. Nuk nxiten kërkimet shkencore, as trajnimet, apo konferencat akademike. Shohim të ndryshojnë vit pas viti mënyra e pranimit në universitet, emërtimi i diplomës, asgjë tjetër vec kësaj. Cilësia nuk ndryshon. Kaosi rritet.
Shkolla me godina të rrënuara, studentë që lëvizin nga një vend në një tjetër, si turma pa bari. Pedagogë të punësuar jashtë universitetit, brënda universitetit, nëpër disa universitete private. Të gjitha këto në të njëjtën kohë. Të gjitha këto në dëm të studentit, edukimit, të ardhmes.
E vërteta është kub. Ngado që ta hedhësh, bie njësoj. Nuk ka nevojë për zbukurime artistike. Është vetë mjaftueshëm e trishtë.

Shqipëria e Kainit dhe Abelit është Shqipëria e përmbytjeve dhe mungesave.
Shiu bie njësoj. Për të drejtët dhe të padrejtët. Dikush, ashtu si Noeu dikur, ndërton varkën e shpëtimit. E bën këtë në kohë të thatë. Ngulmues deri në fund. Sepse shiu do të bjerë një ditë. Ndoshta dhe disa ditë me rradhë.
Qeveria zgjedh të mos dëgjojë zërin hyjnor të arsyes. Asaj nuk i duhen masa parandaluese dhe menaxhuese të rrezikut potencial. Ajo nuk ka nevojë për varka antike. Ka ndërtuar një Titanik. Prej letre. Një titan-ik që nuk ka nevojë për ajsbergë që të shembet. Mjaftojnë ca pika të tepërta uji. Po aq sa mjaftojnë edhe për të bërë masë. Për tu elektrizuar. Por edhe kjo është luks tanimë. Qysh prej Janarit energjia kushton më shumë. Të tjera dilema Hamletiane i presin qytetarët: ndricim apo ilace, ngrohje apo ushqim për fëmijet; ti rikthehen vajgurit apo të vuajnë të europianizuar. Sepse ata, votuesit e zakonshëm të cilëve u bëhen premtime mbusha-mëndëse në cdo fushatë elektorale, nuk kanë lekë për të dyja. Shpeshherë nuk kanë as për njërën.
Rrokullisja e ca pikave më shumë shiu, shkakton përmbytje; disa kilovat orë më shumë energji djegin ekonomine familjare; një tjetër qytetar Abelian rrënohet pa shkak, pa faj.

Evis Plaku

Master i Shkencave “Inteligjence Artificiale dhe Robotike”, Universiteti Freiburg

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s