Gonxhja e Shqiptarëve dhe Shqiptarët e Gonxhes

043a995fd1517cb17920066fa2433b03_1M

Nënë Tereza jonë, të cilës nuk i përkasim

Qëndrimi që kemi ndaj Nënë Terezës ngjason shumë me qëndrimin që kemi ndaj ndonjë popstar-i. Ekziston një admirim i përgjithshëm, por që shpesh është i cekët e sipërfaqësor. Kur dëgjojmë këngën tonë të preferuar, lëvizim disi vendit, e ngremë volumin dhe fillojmë ta imitojmë atë në zë e lëvizje. Derisa muzika përfundon. Në mënyrë të ngjashme, Nënë Terezës ia lexojmë poezitë nëpër shkolla, ia përdorim citatet vend e pa vend, themi gjithë krenari që “Ajo është e jona”, por shumë rrallë shkojmë më thellë se sa kaq.

Nënë Terezës ia duam famën, por jo frymën.

Duam që ajo të jetë e jona, por jo që ne të jemi të sajtë, pra, të ngjashëm me të. Në përvjetorin e lumturimit të saj, e patjetër edhe në përvjetorin tonë të 100-të si shtet, jemi nevojtarë më shumë se sa kurrë për Nënë Terezën si individë dhe si shoqëri. Të varfër në trup e në shpirt, të rrënuar ekonomikisht e moralisht, të vjedhur e poshtëruar, të vrarë e të pasigurt, në ditët që e përkujtojmë atë jemi më larg saj se sa kurrë më parë.

Pa dyshim që dimensioni më i zhvilluar i jetës së Nënë Terezës ishte ndihma dhe kujdesi për tjetrin. “Tjetri’ si i afërmi ynë, po aq sa edhe si një i panjohur që ka nevojë për ndihmë.

Ajo e kishte kuptuar që ‘uni’ nuk mund ta arrijë plotësinë pa ‘ti’-në. Çdo ‘vete’ nuk mund të jetë e tillë pa ‘vetët’ e tjera. Për kontrast ne si shoqëri e kemi pasur gjithnjë tmerrësisht të vështirë ta kuptojmë këtë të vërtetë të madhe: se të gjithë njerëzit janë të ndërvarur dhe prandaj janë të përfshirë në një proces të vetëm. Vrasjet e fundit që kanë ndodhur janë, për fat keq, dëshmi e gjithë kësaj. Solidariteti është gjithnjë post-factum, dhe përveç titujve të gazetave që pas pak ditësh fillojnë të ndiqen më kuriozitetin e kronikave rozë, shumë pak realisht ndodh pas një tragjedie, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më.

Edhe të varfrit, mes të cilëve Nënë Tereza kaloi gjithë jetën e saj, shpesh i shohim si aksesorë të punës së saj. si objekte, por jo si persona, që vuajnë urinë deri në vdekje. Shtresat në nevojë trajtohen me indiferentizëm vrastar. Sidomos nga shteti. Komuniteti rom vazhdon të ngelet objekt përçmimesh. Problemet e tij asnjëherë nuk janë marrë seriozisht. Pensionistët janë lënë në harresë dhe nëpërkëmbur. Asistenca sociale gjithashtu nuk është mjaft që të asistojë askënd. Personat me aftësi të kufizuar janë gjithnjë e me tepër subjekt i kufizimeve të vazhdueshme. E nëse është e vërtetë që, forca e një shteti dhe e një shoqërie tregohet në mënyrën se si ajo trajton njerëzit në nevojë, ky është një test në të cilin kemi dështuar.

Indiferenca ndaj problemit të tjetrit, e pastaj të bërit bashkë, duket se është diçka gati e pamundur për ne. Në këtë vend mund të ndodhë gjithçka, e në fakt po ndodh gjithçka, e përsëri e megjithatë ne vazhdojmë të mos i japim një dorë tjetrit. Jemi si një pacient në koma. Që për definicion është i pandërgjegjshëm dhe i paaftë të reagojë ndaj çka ndodh përreth, duke mos iu përgjigjur asnjë stimuli, sado i dhimbshëm qoftë, e duke mos reaguar as ndaj dritës, sado e fortë të jetë ajo.

Një tjetër dimension i jetës së Nënë Terezës, në mos më i rëndësishmi, ishte besimi në Zot. Ky ‘perpetuum mobile’ i jetës së saj, është në një shumicë prej nesh një qiri që nuk është ndezur kurrë. Duket sikur jemi kaq shumë të lidhur më tokën, sa shpesh jetojmë pa një qiell. Ndoshta duke mos e pasur bindjen se ka diçka përtej nesh e më të madhe se sa ne, jetojmë si mbretër të përjetshëm. Kaq shpesh e kemi parë këtë ide të mishëruar, sidomos në politikë, ku titanë e tiranë përplasen shpesh për të vjedhur e plaçkitur kush të mundë e sa të mundë.

Nga ana tjetër, edhe ato që e kanë vetëmarrë monopolin e besimit, pra institucionet fetare, shpesh sillen si shtojca të pushtetit, duke iu bashkëngjitur atij në qoka e përvjetore, duke shtruar bankete për të pasurit e duke folur për të varfrit. E harrojnë kështu se institucionet fetare nuk janë aneksi i një shteti, por janë, ose më së paku duhet të jenë, ndërgjegjja e tij.

Së fundmi, nuk duhet të harrojmë se përpara se të bëhej Nënë Tereza, pra një nga personat që ridimensionoi shekullin e XX, ajo ishte thjesht një vajzë e vogël, me emrin shpërthyes e domethënës, Gonxhe. Një njeri i zakonshëm. Si ne. E rritur mes vuajtjeve e vështirësive. Që nuk e braktisën kurrë, por vetëm sa u shtuan. Megjithatë, përmes tyre, ajo vendosi të mos konformohej me realitetin përreth saj. E flaku tej rehatinë e një jete prej spektatori dhe pa u ankuar për padrejtësitë e panumërta, e shkundi nga themelet status quo-n që e kishte mbështjellë krejt vendin si një tel me gjemba. Sepse, siç na mëson ajo, mes gjembave, lind një Gonxhe.

Ka vetëm një mënyrë për ta dashur e nderuar Nënë Terezën. Të kujdesemi për tjetrin.

 Nga Evis Plaku

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s