Bota ka nevojë për shembullin, jo opinionet tona

Bukuria e fjalës është e paimagjinueshme; thellësia e saj, mbytëse. Diktatin e fjalës e ndjen uzurpues në shfletimin e ethshëm të faqeve të romaneve të Remark, apo Heminguei ku sheh se si vargje shkronjash bashkohen në një seri të vazhdueshme që vetëm yjet e rradhitur lart në qiell mund t’i afrohen për nga bukuria. Thellësinë e fjalës e dallon lehtë në poezitë e Nerudës, ku një varg i vetëm të duket se ka gjithë botën brënda. Pesha e saj ndihet në fjalimet e guximshme e jetë-ndryshues të Martin Luter King, e ëmbëlsia e fjalës si askund tjetër është e prekshme në fjalët e të dashuruarve.

Ndaj, jo më kot, “në fillim ishte fjala”.

Prandaj, përballë madhështisë së fjalës, duket disi “blasfemuese” t’a vësh në dyshim mjaftueshmërinë e saj. Por, a mund të qëndrojë fjala (apo idetë/opinionet) në vetvete? A munden të ekzistojnë ato, pavarsisht aksioneve? E për të shkuar më larg, a nuk janë idetë tërësisht të varura prej aksioneve? A nuk vijnë fjalët në jetë, vetëm kur jeta jonë është dëshmi e qartë dhe e patjetërsueshme e tyre? Pikëpyetjet janë të shumta, dhe të gjitha na rrinë mbi kokë si çengelë kërcënues…

Më duket e qartë se me gjithë dëshirën e madhe, fjalët/idetë/opinionet tona nuk mund të qëndrojnë të shkëputur nga ajo çka ne besojmë/veprojmë; nga ajo çka ne jemi.

Shoqëria jonë është problematike. Këtë e dijnë të gjithë. Shpesh e përshkruajmë realitetin me ngjyra të errëta; i vendosim atij atij si kolonë zanore ndonjë muzikë funebër. E pastaj nisim të flasim për vlerat e humbura; për parimet që shiten e blihen aq lirë sa perimet. Veçojmë rëndësinë e integritetit e luftës për drejtësi, e aspak nuk kursehemi për të dhënë receta se si duhet të ndryshojë ky realitet.

Gjithësekush sipas midesë së vet. Kështu mbyllet një ditë, për të nisur një tjetër, e njëjtë me të parën: me të tjera përcaktime, me të tjera probleme, me të njëjtat receta. Opinionet hidhen nga kushdo dhe kudo. Që nga studiot e respektuara televizive e deri tek “studiot” më popullore, aty ky shqiptari krijon dhe zgjidh, thurr dhe shturr gjithë hallet e botës, pra nëpër kafene.

Ndaj është legjitime pyetja: çfarë vlere kanë të tillë opinione nëse nuk veprohet sipas asaj bindjeje? A nuk ngelet vetëm si një tollombace e fryrë, që edhe pse duket sikur fluturon, është tejet e brishtë? Kështu pra, parimet dhe vlerat për të cilat flasim nuk mund të jenë medalionë që i varim në qafë për të thënë se sa të mirë jemi. As nuk mund të jenë etiketa me të cilat përcaktojmë qënien tonë. Cilido që ka sjellë ndryshim në realitetin ku jeton ka qënë dikush që ka thënë gjëra të mëdha dhe e ka pasur me gjithë mend atë që thotë, duke bërë pra, gjëra të mëdha.

E vërteta është se ne besojmë vetëm në ato vlera të cilat edhe i jetojmë. Gjithçka tjetër është hipokrite. Virtyti nuk mund të praktikohet në distancë. Opinionet nuk kanë forcë ndryshuese nëse nuk jetohen. Fjalët, kanë nevojë për veprimin, ashtu siç njeriu për shtyllën e vet kurrizore. Ndryshe, bëhemi vuajtës të një skizofrenie të qëndrueshme, midis asaj që jemi dhe asaj që predikojmë se jemi.

Së fundmi, është disi paradoksale që të flasësh për “shembuj”, ndërkohë që jep “opinione” përmes një artikulli. Por bukuria e të vërtetës qëndron edhe këtu: ajo ekziston pavarsisht nesh. Ajo mbetet e vërtetë pavarsisht nëse ne e jetojmë ose jo atë.

Prandaj, më shumë se sa për opinionet, bota ka nevojë për shembullin tonë.

Evis Plaku

<

p>

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s