Udhëheqsi

LIDERA SELFISTË

Po kur drejtuesit e humbasin drejtimin çfarë ndodh?

leadership1-370x229Një studim i realizuar nga një grup drejtuesish dhe sociologësh në Orlando vë në dukje pesë fusha të zakonshme ku drejtimi rrezikohet.

Pas  shqyrtimit  të rasteve konkrete të drejtuesve në pesë kontinentët , ata kanë ravijëzuar profilet e drejtuesve në rrezik.

Ajo që i bashkon këto profile është fjala selfie. E popullarizuar sëfundmi në rrjetet sociale me anë të fotove të vetvetes. Selfie është aq trend sa fjalori i Oksfordit e njohu si fjala e vitit në 2013.

E thënë me shkurt selfie, është vetja në qendër. Drejtuesit selfistë, me veten në qendër kanë këto profile.

Profili i parë. Ylli selfist
Ndriçojnë aq shumë sa mund të verbojnë veten.
Këtu bëjnë pjesë drejtuesit e talentuar që prodhojnë rezultate dhe përfitime për organizatën. Ata janë të njohur dhe lavdëruar për kontributet e tyre.
Pikërisht ky ndriçim që krijojnë përreth tyre mund të bëhet verbues për të parë të metat e karakterit. Zakonisht ata nuk e pëlqejnë kritikat dhe nuk presin të marrin opinion nga të tjerët.

Profili i dytë . Hëna selfist
Nuk kanë dritë të vetën por sillen si të tillë
Këta janë të ngjashëm me të parët për dashurinë dhe vlerësimin e lartë që kanë për veten. Ndryshe nga të parët këta nuk prodhojnë rezultate. Nuk janë të mësueshëm dhe shpesh nuk e vlerësojnë këtë si problem. E kanë shumë të vështirë të pranojnë kritikën.

Profili i tretë. Horizonti selfist
Horizontet e reja janë gjithnjë në vëmendjen e tyre.
Karakteristikë  e tyre është bota e pasur e mbushur me ide, ëndërra dhe dëshira. Këta e kanë të vështirë ti thonë jo të tjerëve. Si tip këta janë më pak të rrezikuarit por mund të tolerojnë situata në organizatë duke lejuar të tjerët të bëjnë atë që është e dëmshme për qëllimin e përbashkët.

Profili i katërt. Lugina selfist
Ashtu si era ata zgjedhin terrenin për të shfaqur forcën e tyre.
Këta janë individë që mbulojnë mirë sektore të caktuara por që nuk duan të kenë marrëdhënie përgjegjshmërie. Ata “hidhen” në pozicione ku eprori u jep lirinë të jenë të pavarur. Ata janë alergjikë ndaj autoritetit përpos kur autoriteti janë vetë. Nëse përpiqesh ti mbash të përgjegjshëm ata do të gjejnë një mënyrë për të gjetur një tjetër drejtues që nuk është aq kërkues.

Profili i pestë. Shtatore selfistët
Gjërat bëhen mire vetëm nën hijen e tyre
Këta qëllimisht i prishin gjërat. Ata kanë një ndjeshmëri të lartë të së drejtës dhe të së gabuarës por nuk e pranojnë kurrë kur e kanë gabim këtë përceptim. Ata nuk kanë limite. Ky profil është më i rrezikshmi pasi vlera e këtyre drejtuesve varet në autoritetin absolut. Kontrollin mbytës me anë të mosbesimit dhe injektimit të frikës . Ata pretendojnë të kenë gjithnjë të drejtë.

Në të gjitha profilet e rrezikuara vihet re që udhëheqësia përceptohet si shërbim ndaj vetes. Në fakt udhëheqësia e mirë është ajo që është në shërbim të të tjerëve. Udhëheqësi shërbëtore.

Ju që jeni në rol udhëheqje në cilin profil keni tendencën të rrezikoheni? Për ju të tjerët, a jeni ndeshur ndonjëherë me një drejtues selfist;Cilat janë sjelljet e tij?

p.s Bazuar në studimin Leaders at Risk

Reklama
Standard
Note, Udhëheqsi

Cilësia më e kërkuar te një udhëheqës

Kam patur qysh fëmijë një kureshtje serioze për udhëheqsinë. Më tërhiqnin bisedat e burrave në dhomën e zjarrit. Mundohesha të kuptoja fjalëkëmbimin e tyre me tekste dhe nëntekste , radhën e bisedës, dialogun pasionat,përkufizmin e problemit, zgjidhjet e mundshme dhe vendimin.  Vëreja me vëmendje kush fliste më shumë, kush më pak, kujt i rrëzohej fjala e kujt i dëgjohej.

Gjithnjë jam rrekur të kuptoj se cfarë i bën disa njerëz ndikues, cfarë i bën atë heqësit e udhës. Cila është karakteristika dalluese e njerëzve që ndikojnë në jetën , shoqërinë dhe botën tonë. Cfarë i bën ata të dallueshëm që njerëzit të drejtohen prej tyre. Cfarë i bën ata zgjidhës problemesh, vendimarrës, strategë, ekzekutues,vizionarë, frymëzues .

Në një sondazh në faqen time në facebook mbi cilësinë numër një që njerëzit kërkojnë tek një udhëheqës bie një sy që të gjithë vlerësojnë një cilësi të karakterit përkundrejt një aftësie. Me fjalë të tjera të 23 komentuesit duan që të udhëhiqen nga dikush që karakteri i tij përshkruhet me ;Përulje, integritet,ndershmëri dinjitet,drejtësi.

Ky përfundim reflekton një sondazh profesional organizuar nga organizataCatalyst(Udhëheqja e gjeneratës tjetër) me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga sondazhi i tyre mbi karakteristikën thelbësore të udhëheqsisë rezulton se 69% besojnë se karakteristika thelbësore e një udhëheqësi të madh është INTEGRITETI ,më pas vlerësojnë AUTENTICITETIN dhe pastaj vjen DISIPLINA . Të gjitha këto fusha të karakterit dhe jo të aftësive. Në këtë sondazh KOMPETENCA ndodhet në vendin e pestë si karakteristika më e qënësishme e kërkuar për një udhëheqës të dekadës tjetër.

Në të njëjtën linjë një studimi i ekspertëve botërorë të udhëheqësisë Kouzes -Posner  publikuar në librin “The Truth about Leadership” , del se 80% e të anketuarva mbi cilësinë më të admiruar te një udhëheqës shfaqin preferencë për NDERSHMERINE, më pas vijon LARGPAMESIA,FRYMEZUES dhe si preferencë e katërt KOMPETENCA.

Mendimi dominues është që njerëzit kërkojnë të një udhëheqës, së pari integritetin dhe ndershmërinë. Pra kërkojnë për një person të cilit mund ti besojnë. Kërkojnë për dikë që është, pa do të bëjë. Një udhëheqës që ka parime të forta morale dhe jeton e drejton sipas tyre.

Pikërisht ky është edhe përkufizimi për Integritetin që jep fjalori i Oksfordit ;Integriteti është cilësia e të qënit i ndershëm dhe e të pasurit të parimeve të forta morale.

Në fushën e biznesit me integritet zakonisht i referohemi një grup të karakteristikave të njeriut dhe parimeve që përfshijnë ndershmërinë, respektin, besnikërinë, përgjegjësinë dhe besimin që duhet të zbatohen për të gjitha aspektet e operacioneve të kompanisë.  Përshtatur nga Paul Klein  Forbes.com

Eksperti   botëror më në zë i udhëheqësisë John Maxwell e vendos të parin KARAKTERIN mes njëzetenjë cilësive (duke patur parasysh Integritetin) në librin e shitur mbi njëmilion kopje “ The 21 Indispensable Qualities of a Leader ku thotë:Karakteri është më shumë se fjala e thënë. Çdokush mund të thotë se ai ka integritet, por ajo se cfarë bën është treguesi i vërtetë i karakterit.

Qartazi cilët jemi ka rëndësi për atë që bëjmë. Karakteri ka rëndësi edhe përpara aftësive. Në një botë plot mashtrime, skepticizëm dhe imoralitet  njerëzit po kërkojnë për udhëheqës që ka karakter te mirë . Po kërkojnë  një udhëheqës me INTEGRITET. Pa këtë cilësi udhëheqja jote do të jetë vetëm një fjalim i bukur, mbase një shëtitje por nuk do të jetë kurrë një ndikim jetëndryshues . Nuk do të jetë kurrë një destinacion për të cilët ndjekësit kanë nevojë ta mbërrijnë.

Por cfarë duhet të ketë parasysh një udhëheqës i dekadës tjetër që të ketë një udhëheqje efektive që reflekton integritet? 

Së pari përcakto shtyllën kryesore të moralit tënd. Cili është burimi i i shpresës, i forcës, i kuptimit të jetës tënde.  Cili është autoriteti të cilit ti i beson jetën. Cili është guri i themelit për jetën e tënde. Në rolin si udhëheqës morali yt do të jetë marka e ndikimit tënd.

Së dyti Kultivo marrëdhënie të sinqerta dha autentike me një rreth të ngushtë miqsh të besuar,kolegësh dhe nëse je i martuar me bashkëshorten/bashkëshortin tuaj.

Së treti  Shqyrto veten në mënyrë të rregullt përmes reflektimit, të menduarit kritik,të lexuarit e librave apo shkruarit.

Mbaj mend nga dhoma e burrave ,atij që i dëgjohej fjala i referoheshin me fjalët; Ai është BURRE. Mbase ata burra nuk e dinin fjalën INTEGRITET por BURRI atëkohë jetonte dhe drejtonte si i tillë. Sot ata që dëgjojnë kanë të njëjtën pritje. Na mbetet ne në rol udhëheqës që të kultivojmë “BURRERINE”  (qofshim djem apo vajza) brenda nesh.

Cila është cilësia që ti vlerëson më shumë te një udhëheqës ? Përse?

p.s Një provë Integriteti. Nëse e gjen të vlefshëm këtë artikull dhe do ta ndash në faqen tënde të lutem cito autorësinë; Agustin Prenga 

Standard
Jetë Studentore, Udhëheqsi

Bota ka nevojë për shembullin, jo opinionet tona

Bukuria e fjalës është e paimagjinueshme; thellësia e saj, mbytëse. Diktatin e fjalës e ndjen uzurpues në shfletimin e ethshëm të faqeve të romaneve të Remark, apo Heminguei ku sheh se si vargje shkronjash bashkohen në një seri të vazhdueshme që vetëm yjet e rradhitur lart në qiell mund t’i afrohen për nga bukuria. Thellësinë e fjalës e dallon lehtë në poezitë e Nerudës, ku një varg i vetëm të duket se ka gjithë botën brënda. Pesha e saj ndihet në fjalimet e guximshme e jetë-ndryshues të Martin Luter King, e ëmbëlsia e fjalës si askund tjetër është e prekshme në fjalët e të dashuruarve.

Ndaj, jo më kot, “në fillim ishte fjala”.

Prandaj, përballë madhështisë së fjalës, duket disi “blasfemuese” t’a vësh në dyshim mjaftueshmërinë e saj. Por, a mund të qëndrojë fjala (apo idetë/opinionet) në vetvete? A munden të ekzistojnë ato, pavarsisht aksioneve? E për të shkuar më larg, a nuk janë idetë tërësisht të varura prej aksioneve? A nuk vijnë fjalët në jetë, vetëm kur jeta jonë është dëshmi e qartë dhe e patjetërsueshme e tyre? Pikëpyetjet janë të shumta, dhe të gjitha na rrinë mbi kokë si çengelë kërcënues…

Më duket e qartë se me gjithë dëshirën e madhe, fjalët/idetë/opinionet tona nuk mund të qëndrojnë të shkëputur nga ajo çka ne besojmë/veprojmë; nga ajo çka ne jemi.

Shoqëria jonë është problematike. Këtë e dijnë të gjithë. Shpesh e përshkruajmë realitetin me ngjyra të errëta; i vendosim atij atij si kolonë zanore ndonjë muzikë funebër. E pastaj nisim të flasim për vlerat e humbura; për parimet që shiten e blihen aq lirë sa perimet. Veçojmë rëndësinë e integritetit e luftës për drejtësi, e aspak nuk kursehemi për të dhënë receta se si duhet të ndryshojë ky realitet.

Gjithësekush sipas midesë së vet. Kështu mbyllet një ditë, për të nisur një tjetër, e njëjtë me të parën: me të tjera përcaktime, me të tjera probleme, me të njëjtat receta. Opinionet hidhen nga kushdo dhe kudo. Që nga studiot e respektuara televizive e deri tek “studiot” më popullore, aty ky shqiptari krijon dhe zgjidh, thurr dhe shturr gjithë hallet e botës, pra nëpër kafene.

Ndaj është legjitime pyetja: çfarë vlere kanë të tillë opinione nëse nuk veprohet sipas asaj bindjeje? A nuk ngelet vetëm si një tollombace e fryrë, që edhe pse duket sikur fluturon, është tejet e brishtë? Kështu pra, parimet dhe vlerat për të cilat flasim nuk mund të jenë medalionë që i varim në qafë për të thënë se sa të mirë jemi. As nuk mund të jenë etiketa me të cilat përcaktojmë qënien tonë. Cilido që ka sjellë ndryshim në realitetin ku jeton ka qënë dikush që ka thënë gjëra të mëdha dhe e ka pasur me gjithë mend atë që thotë, duke bërë pra, gjëra të mëdha.

E vërteta është se ne besojmë vetëm në ato vlera të cilat edhe i jetojmë. Gjithçka tjetër është hipokrite. Virtyti nuk mund të praktikohet në distancë. Opinionet nuk kanë forcë ndryshuese nëse nuk jetohen. Fjalët, kanë nevojë për veprimin, ashtu siç njeriu për shtyllën e vet kurrizore. Ndryshe, bëhemi vuajtës të një skizofrenie të qëndrueshme, midis asaj që jemi dhe asaj që predikojmë se jemi.

Së fundmi, është disi paradoksale që të flasësh për “shembuj”, ndërkohë që jep “opinione” përmes një artikulli. Por bukuria e të vërtetës qëndron edhe këtu: ajo ekziston pavarsisht nesh. Ajo mbetet e vërtetë pavarsisht nëse ne e jetojmë ose jo atë.

Prandaj, më shumë se sa për opinionet, bota ka nevojë për shembullin tonë.

Evis Plaku

<

p>

Standard
Note, Udhëheqsi

Gonxhja e Shqiptarëve dhe Shqiptarët e Gonxhes

Nënë Tereza jonë, të cilës nuk i përkasim

Qëndrimi që kemi ndaj Nënë Terezës ngjason shumë me qëndrimin që kemi ndaj ndonjë popstar-i. Ekziston një admirim i përgjithshëm, por që shpesh është i cekët e sipërfaqësor. Kur dëgjojmë këngën tonë të preferuar, lëvizim disi vendit, e ngremë volumin dhe fillojmë ta imitojmë atë në zë e lëvizje. Derisa muzika përfundon. Në mënyrë të ngjashme, Nënë Terezës ia lexojmë poezitë nëpër shkolla, ia përdorim citatet vend e pa vend, themi gjithë krenari që “Ajo është e jona”, por shumë rrallë shkojmë më thellë se sa kaq.

Nënë Terezës ia duam famën, por jo frymën.

Duam që ajo të jetë e jona, por jo që ne të jemi të sajtë, pra, të ngjashëm me të. Në përvjetorin e lumturimit të saj, e patjetër edhe në përvjetorin tonë të 100-të si shtet, jemi nevojtarë më shumë se sa kurrë për Nënë Terezën si individë dhe si shoqëri. Të varfër në trup e në shpirt, të rrënuar ekonomikisht e moralisht, të vjedhur e poshtëruar, të vrarë e të pasigurt, në ditët që e përkujtojmë atë jemi më larg saj se sa kurrë më parë.

Pa dyshim që dimensioni më i zhvilluar i jetës së Nënë Terezës ishte ndihma dhe kujdesi për tjetrin. “Tjetri’ si i afërmi ynë, po aq sa edhe si një i panjohur që ka nevojë për ndihmë.

Ajo e kishte kuptuar që ‘uni’ nuk mund ta arrijë plotësinë pa ‘ti’-në. Çdo ‘vete’ nuk mund të jetë e tillë pa ‘vetët’ e tjera. Për kontrast ne si shoqëri e kemi pasur gjithnjë tmerrësisht të vështirë ta kuptojmë këtë të vërtetë të madhe: se të gjithë njerëzit janë të ndërvarur dhe prandaj janë të përfshirë në një proces të vetëm. Vrasjet e fundit që kanë ndodhur janë, për fat keq, dëshmi e gjithë kësaj. Solidariteti është gjithnjë post-factum, dhe përveç titujve të gazetave që pas pak ditësh fillojnë të ndiqen më kuriozitetin e kronikave rozë, shumë pak realisht ndodh pas një tragjedie, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më.

Edhe të varfrit, mes të cilëve Nënë Tereza kaloi gjithë jetën e saj, shpesh i shohim si aksesorë të punës së saj. si objekte, por jo si persona, që vuajnë urinë deri në vdekje. Shtresat në nevojë trajtohen me indiferentizëm vrastar. Sidomos nga shteti. Komuniteti rom vazhdon të ngelet objekt përçmimesh. Problemet e tij asnjëherë nuk janë marrë seriozisht. Pensionistët janë lënë në harresë dhe nëpërkëmbur. Asistenca sociale gjithashtu nuk është mjaft që të asistojë askënd. Personat me aftësi të kufizuar janë gjithnjë e me tepër subjekt i kufizimeve të vazhdueshme. E nëse është e vërtetë që, forca e një shteti dhe e një shoqërie tregohet në mënyrën se si ajo trajton njerëzit në nevojë, ky është një test në të cilin kemi dështuar.

Indiferenca ndaj problemit të tjetrit, e pastaj të bërit bashkë, duket se është diçka gati e pamundur për ne. Në këtë vend mund të ndodhë gjithçka, e në fakt po ndodh gjithçka, e përsëri e megjithatë ne vazhdojmë të mos i japim një dorë tjetrit. Jemi si një pacient në koma. Që për definicion është i pandërgjegjshëm dhe i paaftë të reagojë ndaj çka ndodh përreth, duke mos iu përgjigjur asnjë stimuli, sado i dhimbshëm qoftë, e duke mos reaguar as ndaj dritës, sado e fortë të jetë ajo.

Një tjetër dimension i jetës së Nënë Terezës, në mos më i rëndësishmi, ishte besimi në Zot. Ky ‘perpetuum mobile’ i jetës së saj, është në një shumicë prej nesh një qiri që nuk është ndezur kurrë. Duket sikur jemi kaq shumë të lidhur më tokën, sa shpesh jetojmë pa një qiell. Ndoshta duke mos e pasur bindjen se ka diçka përtej nesh e më të madhe se sa ne, jetojmë si mbretër të përjetshëm. Kaq shpesh e kemi parë këtë ide të mishëruar, sidomos në politikë, ku titanë e tiranë përplasen shpesh për të vjedhur e plaçkitur kush të mundë e sa të mundë.

Nga ana tjetër, edhe ato që e kanë vetëmarrë monopolin e besimit, pra institucionet fetare, shpesh sillen si shtojca të pushtetit, duke iu bashkëngjitur atij në qoka e përvjetore, duke shtruar bankete për të pasurit e duke folur për të varfrit. E harrojnë kështu se institucionet fetare nuk janë aneksi i një shteti, por janë, ose më së paku duhet të jenë, ndërgjegjja e tij.

Së fundmi, nuk duhet të harrojmë se përpara se të bëhej Nënë Tereza, pra një nga personat që ridimensionoi shekullin e XX, ajo ishte thjesht një vajzë e vogël, me emrin shpërthyes e domethënës, Gonxhe. Një njeri i zakonshëm. Si ne. E rritur mes vuajtjeve e vështirësive. Që nuk e braktisën kurrë, por vetëm sa u shtuan. Megjithatë, përmes tyre, ajo vendosi të mos konformohej me realitetin përreth saj. E flaku tej rehatinë e një jete prej spektatori dhe pa u ankuar për padrejtësitë e panumërta, e shkundi nga themelet status quo-n që e kishte mbështjellë krejt vendin si një tel me gjemba. Sepse, siç na mëson ajo, mes gjembave, lind një Gonxhe.

Ka vetëm një mënyrë për ta dashur e nderuar Nënë Terezën. Të kujdesemi për tjetrin.

 Nga Evis Plaku
Standard
Note, Udhëheqsi

Përtej kufinjve (çështje karakteri)

Ky shkrim ka 1403 fjalë pa këtë shënimin. Nëse nuk merr mundimin ta lexosh deri në fund atëherë mos e nis fare se do sfidohesh përtej limiteve tuaja.Faleminderit që erdhe në imakiato. Shpresoj tj`u shohim sërish këndej nga anet tona.

KARAKTERI (rigidity-sertësia,ngurtësia)
Cdo rol drejtimi ka vështirësitë e veta . Por në mes tyre njëri nga testet është i vështirë për tu duruar gjatë. Ajo është Sertësia, ngurtësia (rigidity). Është mjaft sfidë të të merresh me njerëz që zgjedhin të jetojnë në atë mënyrë. Per me teper kur ata kërkojnë të përkufizojnë mënyrën tënde të jetuarit sipas stilit të tyre kjo bëhet e padurueshme.

Përse është ngurtësia kaq e vështirë të merresh me të. Përse ka një efekt kaq tiranik mbi njerëzit mbi bashkësitë. Ja tre arsye të shëndosha.

  • Ngurtësia zakonisht merr shkas nga Dashuria . (por dashuria e vërtetë është ndryshe) Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; 1kor :13:4,5
  • Ngurtësia kufizon kreativitetin duke bllokuar progresin….E rrezikuar nga risku i mundshëm dhe dështimi i pret flatrat së ardhmes –ndërkohë më pas e kritikon përse nuk “fluturon”.
  • Ngurtësia është marka e legalizmit. Lejoje legalizmin të hedhë rrënjë dhe do të korrësh patjetër abortin e ideve të reja, të menduarit përtej kutisë ne nivlin 0 dhe programet inovative. Po po të gjitha. Te qënit i lirë kërkon hapësirë për tu shprehur, hapësirë për të gabuar, lirinë për tu përfshirë nga ngazëllimi dhe eksplorimi.

Hiq lirinë dhe pastaj i kemi thënë entuziasmit një Mirupafshim të dhimbshme dhe të gjatë.

NË një konkluzion përfundimtar ngurtësia i vdes ëndërrat. Pa ëndërra jeta bëhet topitëse, e mërzitshme, e pajetueshme. Në vend që të hidhemi në sfida të reja strukemi në frikërat tona.

Sertësia dhe guximi për sfidën nuk mund të qëndrojnë bashkë.

Heroi i “Tringëllima e Ziles” historia e vertete e Robert Manry

 

 

Në maj të vitit 1965 një barkë rreth 4m e15 cm preku ujërat e Oqeanit Atlantik në bregun e Masssachusetts. Destinacioni ? Anglia. Do të ishte barka më e vogël që do përshkonte oqeanin.
Emri i Barkës:Tinkerbelle (tringëllima e ziles) Piloti i saj? Robert Manry, një sekretar kolegjiumi për gazetën Plain cleveland dealer.I cili mendoi që 10 vjet pas tryezës së punës në zyrë ishte mjaft.
 
Kësisoj ai la zyrën dhe iu përkushtua ëndrrës në sirtar.
 
Manry kishtë frikë..jo nga oqeani por nga gjithë ato njerëz që do përpiqeshin ta ndalnin për të mos e bërë këtë udhëtim. Kështu që ai nuk e ndau me shumë njerëz, vec ca të afërmeve dhe gruas së tij Virxhinia..
 
Si ishte udhëtimi? Gjithcka tjetër vecse i këndshëm JO. Ai shpenzoi netë të tëra pa gjumë ndërsa përpiqej të mbante barkën në ekuilibër dhe të mos mbytej. Nga ujërat e oqeanit që hynë në barkë ushqimet që kishte me vete e humbën shijen. Vetmia e kaploi derisa kishte edhe halucinacione.Stuhitë goditën barkën e tij dhe vetëm një litar me të cilin ishte i lidhur e shpëtoi dhe u rikthye sërish në barkë.
Më në fund pas 78 ditësh i vetëm në oqean ai preku brekun e kontinentit te vjetër ne Falmouth, Angli.
Gjatë kohës në barkë ai mendonte se do zinte një dhomë në një hoel do hante darkë i vetëm dhe mbase ndonjë gazetë do të interesohej për udhëtimin.Për cudinë e tij lajmi kishte marrë dhënë..kur ai iu afrua bregut 300 anije e rrethonin dhe u binin burive për të. Mbi 40 000 njerëz e britën me brohorima atë ne breg. Robert Manry sekretari i gazetës i kthyer në një ndjekës i guximshëm i ëndrrës së tij u kthye në një hero. Roberti nuk mund ta bënte këtë vetëm.Në port po e priste një hero më i madh se ai-Virxhinia (e shoqja). E cila refuzoi të ishte medje mbyllur dhe e ngurtë në kohën kur ëndërra e Robertit po formësohej. Ajo e inkurajoi atë në dëshirën për të qenë pjesë e sfidës, për të marrrë përsipër riskun e lejoi atë të ndiqte ëndrrën e tij.

CËSHTJA PËR KARAKTERIN tejcohet në një kontekst lirie, inkurajimi dhe risku. Ne kemi nevojë për më shumë Robertë që kanë kreativitetin dhe këmbënguljen të thyejë monotoninë dhe të provojë të pazakonshëm.

Por më shumë ne kemi nevojë për Virxhiniat që nuk do të lejojnë ngurtësinë, sertësinë të vendosë kufij pengues.

p.s MË trego a e ke të vështirë të gjesh veten në këtë Histori?

<

p>reflektim-frymezim nga THE QUEST FOR CHARACTER nga Charles Swindoll

Standard
Note, Udhëheqsi

Tre modelet e mia johumanë

Po mendoja sot për kafshët e mija të preferuara… që jo vetëm i admiroj për atë që janë por edhe për atë që përcjellin me “karakterin e tyre”. E them pa tepri që dukë vëzhguar jetën e tyre ato janë profesorët e mi të ditur johumanë

  • E pëlqej luanin për fisnikërinë e tij. Shpirtin luftarak dhe sjelljet ekstravagante kur kërkon dashurinë e femrës.

Karakteristika LIDER i natyrshëm

  • E pëlqej shqiponjën për cilësinë e saj për të fluturuar në lartësi. Në hapësira të lira ku ajri nuk është mbytës dhe  relievi nuk ka kuptim.

Karakteristika PAVARËSIA

  • E pëlqej qenin i cili edhe pas disa vitesh ndarje po të takohej me të zotin sërish do ta njihte. Me një shikim për tu admiruar dhe një nuhatje eksellente qentë nganjëherë arrijnë të shohin e prekin gjëra më të thella sesa ne humanët.

Karakteristika BESNIKËRIA


p.s nëse do të shtoja një të katërt padyshim do të ishin mjelmat. Ato çiftëzohen vec me një partner gjatë gjithë jetës së tyre.


 

 
Fakt LUANI (Panthera leo) Nga të gjitha macet e madhe,  luani ka mbajtur gjithmonë një vend të lartë sa i përket vlerësimit  të njeriut . Luani ka qenë gjithmonë i nderuar nga njeriu, si mbreti i kafshëve duke i  atribuar cilësi si; fisnikëria, kurajo, besnikëri, aftësitë luftarake dhe sjelljet fine seksuale. Kjo  vlen për të dy gjinitë,  një luaneshë është një krijesë e bukurisë dredha-dredha, ndërsa mashkull i rritur, ngjyra e gëzofit variojnë  në ngjyra nga një kafe e artë për e pasur në një të thellë të zezë deri në kafe, duke e bërë të shënojë atë si monark i vërtetë i fushave.
Fakt SHQIPONJAT (familja e zogjve Accipitridae ) i ndërtojnë foletë e tyre, në majë të pemëve të gjata ose në shkëmbinjtë e lartë. Shumë lloje të tyre bëjnë dy vezë, por në zogu me i vjetër,  shpesh vret vëllanë saj më të rinj pasi ai e është ka mbushur me vija. Zogu dominant ka tendencë të jetë femër, pasi ato janë më të mëdha se sa mashkulli. Ata gjithashtu kanë një  shikimi të mprehtë që u mundëson atyre të vene re prenë e mundshme nga një distancë shumë të largët.
Shqiponja është përdorur nga shume vende si një simbol kombëtar, duke përfaqësuar, bukurinë, pushtetin dhe pavarësi, dhe është gjithashtu një simbol i shenjtë në shumë kultura.
Fakt QENTË (Canis lupus familiaris and Canis lupus dingo) kryejnë role të shumta për njerëzit, të tilla si gjueti, duke tërhequr ngarkesat, mbrojtjen, në ndihmën te policisë dhe ushtrisë, shoqëri, dhe, më së fundi,dhënien e ndihmës individëve me aftësi të kufizuara. Ky ndikim në shoqërinë njerëzore  u ka dhënë pseudonimin “shoku më i mirë e njeriut” në botën perëndimore. 
 
Standard